Objektivat, veprimtaria dhe rëndësia e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF)
1.0 Hyrje
Në një botë ku efektet e globalizimit dhe zhvillimit ekonomik po ndikonin gjithnjë e më shumë në dinamikat e tregjeve financiare, nevoja për monitorimin dhe rregullimin e këtyre tregjeve shihej si gjithnjë e më emergjente. Fundi i marrëveshjes së Bretton Woods në vitin 1971, hodhi në fushën e lojës shumë risqe të tjera të cilat investitorët por edhe vetë shtetet duhet ti mbartnin. Në të njëjtën kohë, roli i bankave qendrore filloi të merrte trajta të tjera duke zgjeruar aktivitetin mbikëqyres dhe rregullator të sistemeve bankare. Nën keto shembuj dhe rrethana të reja, tregjet financiare që zhvilloheshin nganjëherë edhe më shpejtë se ekonomitë e vendeve respektive, ndjenin nevojën e një garantuesi të rregullave të lojës. Bursat e para datojnë që në shek. XVII dhe gjenerata e bursave interaktive ndërkombëtare që perfaqësohet me City-n e Londrës dhe Wall Street-in amerikan kanë vepruar në një zonë të lirë për shumë dekada. Fakti që autoritetet e para rregullatore të sistemeve financiare datojnë vetëm pas Depresionit të Madh (U.S. Securities and Exchange Commission, 1934) është kuptimplotë në shumë aspekte. Por më kryesorja, tregjet financiare e sidomos ato të sigurimeve, që përbëjne themelin e vijueshmërise së tregtisë ndërkombëtare e më gjerë, apo tregjet e kapitalit dhe letrave me vlerë, kërkojnë padyshim nje mekanizëm mbikëqyrës dhe jo thjesht të lihen në fatin e „dores së fshehtë‟ qe supozohej t‟i mbronte nga çdo keqfunksionim.
Në kontekstin botës së sotme të goditur rënde nga kriza e fundit financiare, mbikëqyrja dhe përmirësimi në terma të efiçencës së tregjeve financiare ka kaluar në një stad të ri shumëdimensional. Rinovimi dhe rikonceptimi i autoriteteve kombëtare të mbikëqyrjes së tregjeve ishte vetëm një hap i parë. Këtu mund të përmendim rastin e shkrirjes se Autoritetit Britanik të Shërbimeve Financiare (FSA) ne Autoritetin e Administrimit Financiar i cili mision kryesor do të ketë ndër të tjera garantimin e integritetit të tregjeve financiare britanike. Krahas këtij autoriteti, është themeluar edhe Autoriteti i Rregullimit të Kujdesshëm (Prudential Regulation Authority) nën vartësinë e Bankës së Anglisë. Duke u kthyer pas në kohë, autoritetet kombëtare të mbikëqyrjes financiare rikompozohen apo rithemelohen më një shpeshtësi e cila duket se shkon në harmoni periodike me dinamikat e tregjeve. Këtu mund të sjellim rastin e Autoritetit Hollandez të Tregjeve Financiare që është rikonceptuar disa herë që nga vitet 1970, ku ndryshimi i fundit daton në vitin 2003. Po në Shqipërinë me një treg kapitali dhe letrash me vlerë thuajse inekzistent, por me një treg sigurimesh në rritje galopante pas vitit 1997, a nevojitet një autoritet mbikëqyrës dhe rregullator? Përgjigjja u dha në vitin 2006 me aktin e qeverisë shqiptare për themelimin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), i krijuar në vitin 2006, ështe një institucion publik i pavarur nga ekzekutivi, përgjegjës për rregullimin dhe mbikëqyrjen e sistemit financiar jobankar dhe operatorëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor. Funksioni primar i AMF është që me anë të mjeteve ligjore, administrative dhe të informacionit, të mbrojë konsumatorët si dhe të ruajë stabilitetin e transparencën në fushën e sigurimeve, letrave me vlerë dhe pensioneve private suplementare. Misioni i AMF është mbrojtja e interesave të konsumatorëve dhe investitorëve, e lidhur ngushtë me qëndrueshmërinë e tregjeve të mbikëqyrura, duke garantuar zbatimin e ligjit. AMF synon nëpërmjet ngritjes së vazhdueshme të nivelit të rregullimit dhe mbikëqyrjes në treg, promovimin dhe nxitjen e standardeve të larta për mbrojtjen e konsumatorëve dhe integritetin e të licencuarve, rritjen e efikasitetit dhe stabilitetit të tregut financiar jobankar si dhe përmirësimin e shkallës së profesionalizmit. Aktiviteti rregullator përfshin përmirësimin e kuadrit ligjor dhe rregullativ, në funksion të krijimit të një tregu të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së konsumatorëve. Kjo nënkupton përgatitjen e politikave të caktuara në drejtim të amendimit të legjislacionit në fuqi si dhe hartimin e rregulloreve e udhëzimeve që kanë të bëjnë me zbatimin në praktikë të detyrimeve ligjore nga subjektet e mbikëqyrura. Aktiviteti mbikëqyrës zbatohet përmes mbikëqyrjes off-site dhe kontrolleve on-site të aktivitetit të pjesëmarrësve të licencuar të tregut. Ky aktivitet synon ruajtjen e stabilitetit të tregut nëpërmjet parandalimit dhe ndërprerjes së shkeljeve ligjore me qëllim sigurimin e mbrojtjes së interesave të investitoreve, të siguruesve dhe personave të siguruar. Në përmbushjen e funksioneve dhe kompetencave të parashikuara në ligj, objektivat e AMF janëkëto:
a) Mbrojtja e interesave të konsumatorëve;
b) Nxitja e qëndrueshmërisë, transparencës dhe besueshmërisë së tregjeve financiare jobankare;
c) Sigurimi i respektimit të ligjit.
2.0 Veprimtaria
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në përmbushjen e detyrave të parashikuar në ligj dhe me qëllim plotësimin e objektivave madhore të përcaktuara në ligj, AMF ushtron dy funksionet parësore të tij:
Funksionin Rregullativ
Funksionin Mbikëqyrës
Më poshtë paraqitet në mënyre të zgjeruar veprimtaria specifike e AMF, me dy fokuset kryesore të këtij institucioni.
3.1 Tregjet Financiare nën mbikëqyrje
1. Tregu i sigurimeve
Tregu i sigurimeve prej vitesh ruan peshën më të madhe në tregjet financiare nën mbikëqyrje dhe, për rrjedhojë, merr një pjesë të konsiderueshme të burimeve të AMF-së. Në vitin 2012 tregu u shtua me një shoqëri të re sigurimi dhe vërehet që vit pas viti rritet numri i profesionistëve të licencuar, zhvillime të cilat tregojnë se ka interes për hyrje të operatorëve në treg. Kjo prirje mbështetet nga politika që zbaton në tërësi AMF-ja, pra edhe për dy tregjet e tjera, për licencim shoqërish apo profesionistësh, të cilët përmbushin kushtet ligjore, pa vënë kufizime ose pa caktuar preferenca të tjera.
2. Tregu i letrave me vlerë
Viti 2012 shënoi vitin e gjashtë të menaxhimit nga AMF-ja në mënyrë të suksesshme të platformës GSRM, e cila siguron transparencë në lidhje me kuotimet dhe transaksionet e tregut me pakicë të letrave me vlerë. Të drejtën për të operuar në platformën GSRM e kanë 9 operatorë të licencuar, që përfaqësohen nga 8 banka dhe Posta Shqiptare. Në tregun e letrave me vlerë operojnë një shoqëri administruese e fondeve të investimeve, 13 shoqëri komisionere, 8 kujdestarë të letrave me vlerë, Qendra e Regjistrit të Aksioneve dhe Bursa e Tiranës, si edhe 18 broker individë që veprojnë në emër të shoqërisë komisionere. Gjithashtu, gjatë vitit 2012, AMF miratoi prospektet për emetime obligacionesh me ofertë private, të parat e këtij lloji në vend. Megjithëse është ende në një faze primitive, tregu i letrave me vlerë gradualisht po plotësohet me operatorë dhe produkte. Në kuadër të përafrimit të legjislacionit në vitin 2012 u miratua rregullorja “Për kushtet e organizimit dhe funksionimit të platformës së tregtimit shumëpalësh” (MTF) dhe u ndryshua rregullorja për licencimin e Bursës, që krijojnë mundësi për zhvillimin e tregut. MTF-ja është një platformë me kërkesa më lehtësuese në krahasim me listimin zyrtar në Bursë, ndërsa për Bursën u hoqën kufizimet që ekzistonin në lidhje me strukturën aksionare të saj. Tregu i aksioneve vazhdon të mbetet ende i pazhvilluar. Për këtë arsye në vitin 2013 AMF-ja ka marrë nismën për të shqyrtuar mundësinë e hartimit të një strategjie për zhvillimin e tregut të letrave me vlerë, zbatimi i së cilës kërkon angazhimin dhe mbështetjen edhe të aktorëve të tjerë.
3. Tregu i pensioneve private vullnetare
Në këtë treg operojnë tre fonde pensioni që janë Raiffeisen Invest, Sigal – Life Uniqa Group Austria dhe SiCRED. Këto kanë një total asetesh gjatë vitit 2012 prej 283 milion lekësh që shënon një rritje prej afro 83%. Në vitin 2013, AMF-ja duhet të punojë për të ndërtuar një platformë pune për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për përfitimet që ka nga pjesëmarrja në skema të tilla, në zbatim edhe të kërkesës së Kuvendit për nxitjen e fushatave edukuese, që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për përfitimet nga produktet dhe shërbimet financiare. Po kështu, në projekt është edhe harmonizimi i plotë i legjislacionit përkatës me direktivat e BE-së, për t‟i dhënë njëkohësisht më tepër frymëmarrje nxitjes së planeve profesionale dhe unifikimit të praktikave plotësisht me ato evropiane.
3.2 Funksionet dhe kompetencat
4 janë aspektet kryesore të aktivitetit të AMF-së në ushtrimin funksioneve dhe kompetencave të dhëna me ligj. Këto aspekte rregullojnë marrëdhëniet dhe detyrimet e entit rregullator me tregjet dhe subjektet e mbikëqyrura:
Licencimi – Të gjithë personat fizikë apo juridikë të cilët kërkojnë të ushtrojnë aktivitetin e tyre në sektorin financiar jobankar në Republikën e Shqipërisë duhet të kalojnë nëpërmjet një procesi vlerësimi, aprovimi dhe licencimi nga ana e AMF-së. Me këtë ne synohet lejimi i hyrjes në treg vetëm të atyre subjekteve të cilat përmbushin të gjithë kriteret e nevojshme për të ushtruar aktivitetin e tyre financiar në tregje të rregulluar. Veprimtaria licencuese ushtrohet në tri tregje: të sigurimeve, të titujve dhe të pensioneve. Për shkak të shkallëve të ndryshme të zhvillimit të secilit treg, pritet që veprimtaria licencuese të jetë më e përqendruar në licencimin e subjekteve të reja të fushës së titujve dhe të pensioneve, si dhe të licencimit të profesionistëve apo ndërmjetësve.
Rregullimi dhe Standardet – Një kuadër ligjor i plotë dhe i harmonizuar për tregun financiar jobankar, standarde të përcaktuara qartë si dhe një rregullator me kompetenca dhe pavarësi institucionale janë thembra e akilit për suksesin e një enti rregullator eficient. Autoriteti ka ndërmarrë hapa konkretë dhe të vazhdueshëm në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor e rregullativ me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe krijimin e mundësive për një funksionim sa më normal të tregut. Gjithashtu, vendosja e standerdeve në treg nëpërmjet përafrimit dhe harmonizimit të legjislacionit kombëtar bazuar në standardet ndërkombëtare dhe Direktivat e Bashkimit Europian janë prioritet për të.
Mbikëqyrja – Autoriteti ushtron funksionin e tij mbikëqyrës të tregjeve financiare jobankare përmes monitorimit të tregjeve dhe subjekteve që operojnë aty me qëllim mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Ky proces përfshin një mbikëqyrje të kujdesshme të aftësisë menaxhuese, mjaftueshmërisë së burimeve financiare, efiçiencës së sistemeve të kontrollit të brendhshëm të subjekteve të mbikëqyrura. Prioritet për AMF-në është kalimi nga modeli i mbikëqyrjes tradicionale në atë me bazë risku, bazuar në praktikën e vendeve Europiane. Përqasja e re e këtij modeli fokusohet në identifikimin, matjen, parandalimin dhe eleminimin e shkallës së rreziqeve që kërcënojnë performancën e tregut si dhe mbështetet nga një sistem i ri elektronik i raportimit, që do të garantojë komunikim të shpejtë dhe të besueshëm, rritje të kapacitetit të analizës, përmirësim të sistemit të paralajmërimit dhe përfundimisht, rritje të cilësisë dhe efikasitetit të të gjithë veprimtarisë mbikëqyrëse të institucionit. Mbikëqyrja realizohet me një numër relativisht të kufizuar punonjësish të organizuar sipas një strukture e cila është e pandryshueshme prej disa vitesh. Kjo strukture prej vitesh ka humbur fleksibilitetit dhe nuk mbështet nevojat e institucionit për ndryshime në përputhje me kërkesat për forcimin e kapaciteteve administrative, përshtatjen me zhvillimet në tregje, si dhe përmbushjen e misionit të nxitjes së qëndrueshmërisë financiare.
Zbatueshmëria - Bazuar në fuqinë që i jep ligji, Autoriteti ka kompetencë të plotë për hetimin dhe marrjen e masave të zbatueshmërisë kundrejt subjekteve që shkelin kuadrin ligjor dhe rregullativ duke cënuar interesat e konsumatorëve. Në këtë kontekst, ka një bashkëpunim të ngushtë me institucionet homologe si dhe me organet kompetente vendase apo të huaja të luftës kundër krimit të organizuar financiar. Gjithashtu, ne mendojmë se është i nevojshëm krijimi i skemave të ndryshme të kompesimit të konsumatorëve në rastet e pezullimit të aktivitetit apo falimentimit të subjekteve të licencuara për të operuar në tregjet nën juridiksion.
4.0 Raste praktike
Viti 2012 nuk ishte një vit si gjithë të tjerët për AMF-në. Kjo vjen padyshim për shkak të liberalizimit të mëtejshëm të tregut, ku çmimet shënuan rritje e rënie dhe u shtua edhe numri i kontratave. Për këtë arsye, fundviti u mbyll me një raport 1:1, sigurimet vullnetare me ata të detyrueshme. Sigurisht, ka nevojë për përmirësim, veçanërisht sigurimi i jetës që është një sigurim vullnetar. Por, indirekt, ka ndikuar si një lloj frenimi edhe kredidhënia e sistemit bankar. Kjo për arsye se blerja e produkteve apo sherbimeve objekt sigurimi është e korreluar me frenimin e kredidhënies. Normalisht që për AMF ngelet punë për t‟u bërë, sepse në treguesit rajonalë Shqipëria është ndër vendet më të ulta, pasi harxhon 22 euro për frymë për sigurime. Maqedonia fqinje e ka rreth 50 euro. Por, nëse i referohemi shifrave, mund të themi që raporti i primit mesatar përmbi GDP-në për kapital, në Shqipëri është i nivelit 1.37. Kjo nënkupton që primi mesatar është më i madh se të ardhurat mesatare që kanë shqiptarët. Pra është mbi 1. Për vende të zhvilluara ky raport është nën 1 dhe tregon që qytetarët me të ardhurat e tyre kanë mundësi të përballojnë edhe sigurimet. Ky është një raport që nuk varet vetëm nga puna e AMF-së.
Në fillim të vitit 2013, AMF ka qenë vazhdimisht në qendër të një proteste të një grupi të aksidentuarish që pretendojnë dëmshpërblim të padrejtë nga kompania Sigma sh.a. Menjeherë pas denoncimit në AMF, studentetët e aksidentuar në Himarë në vitin 2011 u njoftuan se që prej 24 orësh AMF është vënë në lëvizje nga ankesa paraprake e Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe ata kanë marrë 24 orë më parë një takim informues me përfaqësues të Kompanisë SIGMA. Perfaqësuesit e AMF-së deklaruan se është ngritur me urgjencë një grup pune për shqyrtimin e rastit dhe garantuan ZMK-në, studentët dhe familjarët e tyre që AMF do të shqyrtojë të gjithë procedurën dhe do të bëjë një vlerësim të të gjithë praktikës së ndjekur nga ana e Kompanisë SIGMA sh.a. Gjithashtu, ata i garantuan palëve denoncuese se AMF nuk do të lejojë shkeljen e të drejtave të tyre nga ana e Kompanisë së Sigurimeve SIGMA sh.a në asnjë rast. AMF, pavarësisht se në këtë rast ka marrë përsipër të ndërmjetësojë palët kontestuese, nuk ka autoritetin ligjor të vendosë gjoba. AMF mbikqyr zbatimin e sanksioneve që vendosen nga gjykatat dhe gjithashtu mund të marrë vetëm vendimin ekstrem të heqies së licencës për mospërmbushjen e kritereve të domosdoshme që parashikohen nga ligji "Për veprimtarinë e sigurimit, të risigurimit dhe ndërmjetësimit në sigurime dhe risigurime". Në anën tjetër, AMF po studion mundësine e një kooperimi me Bursën e Tiranës për të zhvilluar trajnime dhe seminare me qëllim që në një hark kohor të shkurtër, bursa të jetë aktive. 5.0 Përfundime
Në përfundim të këtij punimi, konkluzioni kryesor është rëndësia e aktiviteteve dhe efektivitetit të politikave që AMF ndjek dhe implementon. Tregu i sigurimeve gjithmonë në rritje të qëndrueshme apo zgjerimi i tregut të letrave me vlerë kërkojnë një AMF aktive në rregullimin dhe drejtimin në rrugën e duhur të këtyre tregjeve. Gjithashtu, krijimi i fondeve private të pensionit, përveç eskpertizës që AMF ofron me anë të legjislacionit lehtësues, kërkon një vëmendje më të madhe nga organet e tjera përgjegjëse dhe padyshim, rritjen e besimit në keto fonde. Në tregun e sigurimeve, synimi kryesor i AMF-së në vitet që do të vijnë është stabilizimi i çmimit të policave të sigurimit dhe përafrimi i tyre sa më pranë çmimit të riskut. Në të njëjtën linjë, rritja e pagesave të dëmshpërblimit mbi 50% (mesatarja e e vendeve të BE pa Britaninë e Madhe), e cila duhet te vijë në kushtet e rritjes së primeve, pra për te parandaluar një rritje thjesht statistikore të pagesave të dëmeve. Rritja e sigurimeve vullnetare është një tjetër synim i AMF, i cili me anë të mbikëqyrjes më proaktive të këtij tregu, sidomos të sigurimit të jetës së grupeve vulnerabël, duhet të kërkojë mbajtjen e trendit pozitiv të rritjes. Kujtojmë që në vitin 2010 sigurimet vullnetare ishin në nivelin 30% dhe sot janë në nivelin 49%. Në tregun e letrave me vlerë, që puna e AMF-së të jetë efektive kërkohet një kuadër ligjor më favorizues dhe bashkepunim më i ngushte sidomos me Ministrine e Financave dhe Bankën e Shqipërise. Dinamikat e tregut kërkojnë një përgatitje paraprake për zhvillimet e të ardhmes në një treg qe duket se po hedh hapat e pare drejt zhvillimit. Dëshmia më e mirë për këtë, është shtimi i numrit të kompanive që menaxhojnë portofole të letrave me vlerë dhe që ndërmjetësojnë emetimin e letrave të reja. Ndërsa në tregun e fondeve të pensioneve private, ashtu siç është kërkuar vazhdimisht nga AMF, heqja e barrierave tatimore që pengojnë zhvillimin e këtij tregu është e domosdoshme në kushtet që rritja e kontribuesve në vitin 2012 në karahasim me 2011 ishte 17%. Në ditët e sotme, një numër shërbimesh financiare, bankare ose jo-bankare, po gjejnë një zhvillim të konsiderueshëm. Duke marrë si shembull rikonceptimin dhe zgjerimin e kompetencave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Estonise (shtet me problematika të ngjashme me të Shqipërisë deri disa vite më parë), AMF duhet te konsiderojë seriozisht supervizimin e segmenteve të mëposhtme të tregjeve financiare: a) b) c) d) e) Shoqëritë ndërmjetëse të sigurimeve Shoqëritë ndërmjetëse të pagesave dhe komisioneve online (E-Money institutions) Kompanitë e mbledhjes së borxheve Fondet e investimit Sipërmarrjet e vogla dhe të mesme të cilat shihen si investues të mundshëm në tregun e kapitalit dhe letrave me vlerë.
6.0 Biblografia
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (2013), www.amf.gov.al
Estonian Financial Supervision Authority (2013), www.fi.ee
Raporti i AMF ne Komisionin Parlamentar te Financave dhe Ekonomise (Mars 2013)
Murphy J.J. (1999) A short introduction. Technical Analysis of the Financial Markets fq. 37-60