Universiteti i TiranësFakulteti i EkonomisëDepartamenti i ManaxhimitAdministrim publikPlanifikim strategjikDetyrë | Stilet e drejtimit në organizatat publike
Lidershipi përkufizohet si aftësia për t’i grupuar dhe lidhur njerëzit së bashku në proçesin e zhvillimit dhe levizjes drejt një vizioni të caktuar. Në përgjithësi stilet e lidershipit janë të orientuara nga njerëzit dhe të orientuara nga detyrat. Midis këtyre dy skajeve dallojmë katër tipe lidershipi: laissez-faire, demokratik, burokratik, autokratik. Të gjithë këta stile janë të përdorëshëm në organizatat publike. Por cili prej tyre është më i miri?
Stili laissez-faire i drejtimit ekziston në ato raste kur menaxheri ka pak ose aspak kontroll mbi stafin dhe u jep atyre sa më shumë liri që të jetë e mundur. I gjithë autoritet dhe fuqia i përket stafit dhe ata përcaktojnë objektivat, vendimet që duhet të merren për arritjen e tyre dhe zgjidhjen e problemeve. Ky stil është i përdorëshëm në organizatat publike kur stafi është i pajisur me një nivel të lartë aftësish, experience dhe edukimi. Po ashtu kur punonjësit janë të motivuar për të bërë punën e tyre dhe priren që ta bëjnë atë në mënyrë sa më të mirë për të qënë të suksesshëm në arritjen e qëllimeve të tyre ky stil mund të rrisë produktivitetin. Nëqoftëse organizata ka lidhje me specialist të jashtëm dhe konsulentë ky stil do të ishte mjaft efiçent në menaxhimin e tyre. Ky stil nuk duhet të përdoret kur në organizatat publike punonjësit do të ndiheshin të pasigurt në mungesë të drejtimit nga një menaxher. Do të shkaktonte mungesë efiçence kur menaxherët dështojnë në vlerësimin e drejtë të performancës për punonjës dhe kur atyre u mungon aftësia për të realizuar punën dhe mendojnë se puna e stafit do të mbulojë të tyren. Meqë më shpesh organizatat publike gjenden në kushtet e dyta ku punonjësit nuk janë të motivuar dhe vlerësimi për performancë është i vështirë të matet individualisht ky stil nuk është i rekomandueshëm.
Stili demokratik i drejtimit ose i njohur ndryshe si stili i pjesëmarrjes i inkurajon punonjësit të bëhen pjesë e vendimarrjes, i mban ata të informuar mbi gjithçka që ndikon punën e tyre dhe ndan përgjegjësinë e zgjidhjes së problemeve. Menaxheri i organizatave me një stil të tillë drejtimi merr vendimet finale pasi ka mbledhur informacion nga punonjësit. Stili demokratik i drejtimit prodhon punë cilësore dhe sasiore për periudha të gjata kohe. Punonjësit në përgjithësi janë të kënaur me besimin që marrin dhe japin me bashkëpunim, shpirt grupi, dhe moral të lartë. Në organizatat publike është më i përdorshëm kur duhet të implementohen ndryshime operacionale ose në zgjidhjen e problemeve individuale apo të grupit. Ëhtë më efektiv në ato raste kur menaxheri do t’i mbajë punonjësit të informuar për çështje që ndikojnë ata, do të rritë pjesëmarrjen në vendimarrje, do të japë mundësi për promovimin e brendshëm të stafit, do të rritë e kënaqësinë në punë dhe motivimin. Ky stil rekomandohet kur organizatat duan të zgjidhin një problem kompleks që kërkojnë përfshirjen e shumë inputeve për tu zgjidhur ose kur duhet të bëhen ndryshime të rëndësishme që ndikojnë të gjithë organizatën. Megjithatë shpesh herë organizatat publike nuk kanë në dispozicion kohën e mjaftueshme që duhet për përfshirjen e gjithësecilit. Duke qënë se ato veprojnë me buxhete të përcaktuara, marrja e vendimeve nga menaxheri është më kosto-efektive. Meqënëse organizatat janë në shërbim të qytetarit, gabimet që mund të shkaktohen nga ky stil mund të jenë të papërballueshme.
Stili burokratik i drejtimit e bën menaxhimin sipas rregullave, proçedurave dhe politikave. Nëqoftëse një çështje nuk përfshihet në proçedura i përket një niveli tjetër. Shpesh liderë të tillë konsiderohen më shumë si oficerë policie se sa si menaxherë sepse ata kërkojnë me përpikmëri zbatimin e rregullave. Ky duket si një nga stilet më të përshtatshëm për organizatat publike sepse është më efektiv kur zbatohet në ato raste që punonjësit kryejnë detyra rutinore ose u duhet të kuptojnë disa standarte apo proçedura të caktuara apo kur punonjësit performojnë detyra që kërkojnë të mbash para cash. Por gjithashtu ky stil mund të kthëhët në një problem në organizatat publike sidomos kur krijohen procedura të ngurta pune të cilat nuk janë më efektive të cilat bëjnë që punonjësit të humbasin interesin për punën dhe bashkëpunonjësit dhe për pasojë ata bëjnë vëtëm atë që pritet prej tyre.
Stili autokratik i drejtimit i lë të gjithë autoritetin dhe pushtetin e vendimmarrjes menaxherit i cili nuk konsultohet me stafin dhe nuk merr ndonjë input prej tyre. Stafi pritet që të zbatojë urdhërat pa marrë shpjegime. Ky stil drejtimi është efektiv kur punonjësit janë të patrajnuar dhe nuk dinë çfarë detyrash duhet të bëjnë ose kur nuk i përgjigjen asnjë lloji tjetër stili drejtimi. Gjithashtu mund të perdoret kur duhet marrë një vendim i rëndësishëm në një kohë të shkurtër ose kur duhet të koordinohet puna me departamente të tjera. Por nuk duhet të përdoret kur punonjësit bëhen të tensionuar, presin që të gjitha vendimet t’i marrë menaxheri, ka qarkullim të lartë dhe moral të ulët.
Referenca:
Yukl, G.A. (2002) “Leadership in organizations”. (5th ed). London: Prentice-Hall International Inc.
Baron, J. (2005) “A Study about the Leadership Styles of Public Organizations” International Journal of Public Administration. 19(6), 731-761.